Labels

Saturday, May 4, 2013

Itali, burri vret gruan dhe vajzën, plagos të birin

Masakër në një familje katër anëtarëshe në Bari të Italisë. Ngjarja e rëndë me pasoje vdekjen e tre personave dhe plagosjen rëndë të një të katërti ka ndodhur në orët e vona të së premtes, duke u gdhirë e shtunë. 

Gjithçka ishte gati për festën e ditëlindjes së Letizias, vajzës së familjes, e cila mbushte sot 20 vjeç. Këtë mbrëmje do të organizohej darka ku do të ishin të pranishëm 70 të ftuar. Por Letizia, një vajzë me sindromën Down, nuk do t'i fikë 20 qirinjtë e tortës, pasi bashkë me nënën e saj mbeti viktimë e të shtënave me armë nga babai Michelle Piccolo, 55 vjec, me profesion farmacist.

Kryefamiljari ka pritur që në shtëpi të vinte edhe djali Claudio 24 vjeç, për t'i qëlluar të tre anëtarët e familjes së tij. Bashkëshortja Maria Chimenti 55 vjec dhe vajza mbetën të vdekura në vend, ndërsa djali ndodhet në koma në spital. Vetë autori i kësaj masakre, që ende nuk dihet përse ndodhi është vetëmbytur në pishinën e vilës luksoze ku jetonin.

Karabinierët kanë shkuar në vendin ngjarjes për të zbardhur rrethanat e kësaj masakre.Hetimet kanë nisur intensivisht, ndërkohë që hipoteza më e besueshme është çmenduria e kryetarit të familjes që humbi kontrollin dhe kreu krimin e rëndë. Nuk duket se familja ishte pre e grabitësve, pasi nuk janë parë shenja dhune.