Labels

Sunday, April 28, 2013

Fier, arrestohet, tentoi të përdhunojë 18-vjeçaren

Ka rrëmbyer një vajzë para gjimnazit ku ajo ndiqte shkollën, arrestohet për pengmarrje dhe përndjekje. 

Ngjarja e ndodhur pranë një prej shkollave të mesme të përgjithshme të qytetit të Fierit, ka tronditur nxënësit e gjimnazit dhe të banorëve të zonës.

Ngjarja

Ka qenë ora 07:40 e ditës së djeshme, kur 18-vjeçareja ka qenë së bashku me disa shoqe pranë shkollës së mesme të përgjithshme që ndodhet në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit, kur 23-vjeçari Elis Dine i ka zënë “pritë” vajzës që ngacmonte prej disa kohësh. Ai ka qenë duke ndjekur lëvizjet e vajzës prej automjetit që drejtonte. Kur ajo është ndalur duke biseduar me shoqet, 23-vjeçari Dine e ka kapur për krahësh dhe e ka tërhequr me forcë drejt makinës. Ai e ka futur adoleshenten me forcë në makinë, duke e kërcënuar dhe është larguar me shpejtësi. Rrëmbimi i 18-vjeçares ka shokuar shoqet e saj, të cilat kanë nxituar të lajmërojnë prindërit e saj.

Denoncimi

Pasi prindërit e 18-vjeçares së rrëmbyer kanë marrë informacion për atë çfarë i kishte ndodhur vajzës së tyre, i janë drejtuar menjëherë policisë për të kërkuar ndihmë. Menjëherë policia ka ngritur postblloqe të shumta, por pa arritur ta ndalojë autorin. Ndërkohë, nga informacione të marra operativisht, policia ka zbuluar drejtimin e lëvizjes së mjetit të 23-vjeçarit. Pas rreth një ore është arritur të zbulohet mjeti i Dines dhe brenda tij dy të rinjtë. I prangosuri ka zgjedhur pyllin e Semanit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Fierit. Edhe pse 23-vjeçari Dine e ka futur dhe e ka mbajtur kundër dëshirës së saj në mjetin e tij për rreth një orë, fatmirësisht nuk ka arritur ta dhunojë seksualisht të renë. Nga marrja e deklarimeve të së dëmtuarës dhe shoqeve të saj është mësuar se i ndaluari kishte disa javë që e shqetësonte 18-vjeçaren duke i kërkuar që të krijonin një lidhje dashurore që ajo e kishte refuzuar. Në këto kushte ai ka vendosur që dje ta marrë forcërisht në makinë. Policia e ka kryer arrestimin në flagrancë të Dines për veprat penale të heqjes së lirisë së tjetrit dhe persekutimit.