Eldora ishtë nga ata tipa, jo e trukuar nga pamja, po mjaftueshëm e trukuar në sjellje, pra femra më hipokrite. E vetmja që s‘ishte aspak origjinale, dhe mënyra se si i qëndronte afër Shpendit ishte shumë e llogaritur nga ajo. Më ka ngelur peng që nuk e luftova, dhe po t’i futesha, do e kisha nxjerrë jashtë loje fare. Por pata frikën se mos më keqkuptonte Shpendi, në kuptimin se do dukesha sikur po hyja si pykë në mes dhe do i ndaja, e ndoshta shkaktoja xhelozi.
Shpendi, miku im në shtëpi
Shpendin e kisha si mik në shtëpi dhe isha në krahun e tij të djathtë gjithmonë. Por Eldora me të donte të krijonte ikonën e një çifti, me një përkujdesje të tmerrshme ndaj tij. S’bëhej fjalë për dashuri nga ana e saj, aq më tepër natyra e Shpendit që s’mund të dashurohet me të. Por me sa duket, atij i interesonte prezenca e një femre që të kujdesej për të, edhe pse Eldora ishte shumë e lexueshme në atë që bënte.
Joana, femër pa komplekse
Joanën e kam nominuar disa herë për natyrën e saj, megjithatë është e pandryshueshme në lojë, edhe me natyrën dhe të metat që mund të ketë. Unë u afrova me Anaidin, se u krijua një farë respekti mes nesh. Dhe, po të shoqëroheshe me Anaidin, ishte edhe Joana bashkë me të. Kështu u afrova më shumë me të, pasi gjetëm një gjuhë të përbashkët. Sido që të ishte, Joana nuk ishte me komplekse dhe kjo më pëlqente. Pastaj se çfarë bënte me jetën e saj me Anaidin e flirtet, nuk më interesonin.
Elena, e vetmuar në shtëpi
Elena ishte shumë e akullt në fillim, aq sa dukej si një koketë që vinte nga Norvegjia. Duket nga fundi e pa veten të vetme, sikur po e mënjanonin dhe nga lidhja me Viganin; dhe pashë që m’u afrua, por e lashë të afrohej aq sa doja unë. Ajo ka problem të krijojë grupin e vet, pasi ka frikën e nominimit dhe justifikohet sjellja e saj.
Elona, shumë negative
Elona mbante gjithmonë syze, sikur u fshihej shikimeve në sy që tregojnë sinqeritet. Për dy muaj ishte hija e vetes, dhe pas dy muajsh u zgjua brutalisht duke filluar të na vinte në sedër, duke qëlluar me shpatë majtas e djathtas. Me Joanën filluam t’i flisnim “O burrë i dheut!” se si gjysmë burri fliste dhe vepronte. Natyra e saj nuk ishte shumë femërore dhe besoj që mund të jetë edhe lesbike, edhe pse nuk merrem shumë me këto gjëra. Kur e pashë në pishinë, m’u duk si sportiste dhe jo si stiliste. Madje here-herë m’u duk më shumë si xhepiste, edhe pse një xhepiste ka më shumë karakter sesa ajo. Shumë negative për mua.
Iliri më duket karagjoz
Iliri e nisi mirë me atë humorin e vet, por ishte shumë bajat në shumë gjëra, pasi reflektonte vulgarizëm të tepruar. Nga mëngjesi deri në darkë bënte jo shaka, por karagjozllëqe. U kthye në provincialitetin e vet, në mendime të prapambetura dhe, kur i iku Olta, sikur iu shemb tavani mbi kokë, e për një javë e humbi fare. Pastaj gjeti Elonën dhe krijuan një farë dysheje.
Vigani dhe Edberi, të pabesë
Po i komentoj të dy, meqenëse ashtu hynë në lojë si dy gjysma. Vigani dukej si paqësor në pamje, mundohesha ta këshilloja, kujdesesha për të si tip altruist që jam, pasi më dukej pozitiv. Për Viganin tregoja kujdes si për djalin tim, por më nominoi duke më quajtur njeri pa personalitet dhe kjo më vrau. Nuk e prisja nga ai, pasi unë në lojë hyra me këtë veçanti të karakterit tim, pikërisht që jam një njeri i besës. Ndërsa Edberi si zog pa bisht, si trumcak dhe që nuk i zihej besë fare. Shkonte nga një grup në tjetrin, dhe 30 mijë herë gabonte, madje një herë që u mërzit me mua, unë i dhashë një pjatë makarona dhe iku, u qetësua. Ky ishte Edberi.
Anaidi, shumë inteligjent
Anaidi dallon në atë shtëpi, pasi është aktiv për gjithçka. Është shumë djalë inteligjent, e kam vlerësuar për këtë dhe të kuptonte në atë shtëpi. E filloi pak me sherr me mua, por u tërhoq dhe më kërkoi falje. U afruam shumë më tepër, kuptoheshim dhe shkonim mirë. Ishte tip i lezetshëm, më pëlqente humori i tij, që gërricjen e ka kthyer në art, dhe fakti që guxonte të zbulonte sekrete.
Rike është e djallëzuar
Nuk mendoj se është ndonjë femër shumë e bukur Rike, ashtu siç është komentuar. Sytë i kishte të bukur, por s’kishte ndonjë trup të jashtëzakonshëm. E kam parë në përditshmëri, pavarësisht trukimit. M’u duk selektive si femër, edhe në blofin me Edberin që e hëngrën të gjithë. Vajzë e qeshur, që do ta përkufizoja “qesh e ngjesh”, pasi ishte vërtet shumë natyrë djallëzore.